“Mënyra e të bërit politikë siç bën Albin Kurti, po i vjen fundi. Albin Kurti është lideri i fundit i gjeneratës së vjetër të politikanëve në Kosovë… Albin Kurti është në politikë prej 1997”.
Kështu ka deklaruar, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në studion e “Debat Plus” të RTV Dukagjini.
Krahas kësaj, Krasniqi ka thënë që me prezencën e Kurtit në politikë nga 1997, shumica e votuesve të tij nuk kanë qenë të gjallë.
Sipas tij, me përfundimin e qeverisjes së tij, do të vijë një frymë e re e drejtuar nga vetë Krasniqi.
“Me përfundimin e qeverisjes së tij, do të vijë një politikë e re të cilën do ta drejtojmë ne, që do ta drejtojë unë dhe që do t’i sjellë Kosovës një tjetër lloj politike, çasje dhe tjetër vizioni”, ka deklaruar Krasniqi, gjersa ka theksuar se ajo politikë do të jetë një politikë “ku do të ketë konkurencë, por jo përçarje, një ku do të ketë shpresë dhe jo mashtrim”.