Memli Krasniqi ka njoftuar sot se ka marrë përsipër të udhëheqë fushatën zgjedhore të PDK-së si Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor, në përgatitje për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në një postim në Facebook, Krasniqi theksoi se kjo është një mundësi për t’i rikthyer vendit “normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin”.
Ai bëri të ditur se pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës, këtë herë ka vendosur të mos jetë pjesë e listës zgjedhore, për t’u përkushtuar tërësisht drejt organizimit dhe udhëheqjes së fushatës dhe mbështetjes së kryetarit dhe kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
“Në këtë fushatë, do të jem plotësisht në shërbim të fushatës sonë, të ekipit, të strukturave dhe të fitores sonë të përbashkët. Prandaj, pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës, këtë herë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës tonë zgjedhore. Ky është një vendim i qëllimshëm, që më lejon t’i përkushtohem tërësisht organizimit dhe udhëheqjes së fushatës dhe mbështetjes së plotë për Kryetarin dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza”, ka shkruar ai.
“Ecim bashkë, me besim dhe vendosmëri, për një Kosovë më të mirë për të gjithë!”, shkruan tutje Krasniqi.