Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
Krasniqi, nëpërmjet një reagimi, vlerëson se pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, për çka sipas tij padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton, njofton Dukagjini.
“Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës. Dhe kjo histori e vendit tonë nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë. Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë”.
“Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë. Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Krasniqi.