Kremlini ka deklaruar të enjten se është në kontakt me autoritetet franceze lidhur me fatin e studiuesit politik francez Laurent Vinatier, i cili po vuan një dënim trevjeçar në Rusi dhe, sipas raportimeve, përballet edhe me akuza të reja për spiunazh.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia i ka bërë “një ofertë palës franceze” për Vinatierin dhe se “tani topi është në fushën e Francës”, duke refuzuar të japë detaje për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Nga ana tjetër, presidenca franceze bëri të ditur se presidenti Emmanuel Macron po e ndjek nga afër rastin, ndërsa Ministria e Jashtme e Francës theksoi se të gjitha shërbimet shtetërore janë të angazhuara për t’i ofruar mbështetje konsullore Vinatierit dhe për të shtyrë për lirimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
Laurent Vinatier u arrestua në Moskë në qershor të vitit 2024 dhe u akuzua se kishte mbledhur informacione mbi aktivitetet ushtarake ruse pa u regjistruar si “agjent i huaj”. Edhe pse avokatët e tij kërkuan një gjobë, në tetor 2024 ai u dënua me tre vjet burg, një vendim që Franca e cilësoi si “jashtëzakonisht të ashpër”.
Rasti i Vinatierit ndodhi në një periudhë tensionesh të larta mes Moskës dhe Parisit, pas deklaratave të Macronit për mundësinë e dislokimit të trupave franceze në Ukrainë.
Së fundmi, media shtetërore ruse raportoi se studiuesi është akuzuar edhe për spiunazh – një vepër që në Rusi dënohet me 10 deri në 20 vjet burg.
Arrestimet për akuza spiunazhi dhe mbledhje informacioni të ndjeshëm janë shtuar ndjeshëm në Rusi që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe Parisi zyrtar kanë kritikuar ligjin për “agjentët e huaj”, duke e konsideruar atë një mjet për shtypjen e lirive themelore dhe zërave kritikë ndaj luftës.
Rusia, ndër vite, ka arrestuar disa shtetas të huaj dhe më pas i ka liruar në këmbime të të burgosurve me vendet perëndimore, përfshirë edhe shkëmbimin e madh të gushtit 2024, më i madhi që nga Lufta e Ftohtë.