Kriza e re në Izrael: Debati për rekrutimin e ultra-ortodoksëve rrezikon qeverinë Netanyahu

Izraeli po përballet me një nga krizat më të mëdha politike të viteve të fundit, ndërsa çështja e rekrutimit të komunitetit ultra-ortodoks (Haredi) në ushtri po kërcënon stabilitetin e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe po polarizon shoqërinë izraelite.

Gati dy vjet luftë me Hamasin dhe barrë e rëndë mbi trupat ushtarake kanë ndryshuar ndjeshëm opinionin publik.

Sot, shumica e qytetarëve hebrenj jo-Haredi kërkojnë fundin e përjashtimit historik që ky komunitet gëzon nga shërbimi ushtarak, një politikë e vendosur qysh me themelimin e shtetit në vitin 1948. Ky përjashtim u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Lartë e Izraelit pothuajse 20 vjet më parë, dhe vitin e kaluar gjykata urdhëroi qeverinë të fillonte rekrutimin e ultra-ortodoksëve, shkruan BBC.

Megjithatë, zbatimi i këtyre detyrimeve ka hasur në rezistencë të ashpër. Vitin e kaluar u dërguan 24.000 njoftime për rekrutim, por vetëm rreth 1.200 Haredi u paraqitën, sipas të dhënave të ushtrisë. Tensionet kanë shpërthyer si në parlament ashtu edhe në rrugë: protestues ultra-ortodoksë kanë sulmuar politikanë dhe oficerë të policisë ushtarake, derisa u krijua një sistem njoftimi i quajtur “Black Alert” për të mobilizuar turma kundër arrestimeve të të rinjve që shmangin shërbimin.

Një protestë e madhe me dhjetëra mijëra pjesëmarrës u mbajt muajin e kaluar në Jerusalem, ku shumë e shohin këtë çështje si pjesë të një lufte më të gjerë identitare: a është Izraeli një shtet modern sekular, apo një shtet thellësisht hebraik ku studimi i Torës shihet po aq i rëndësishëm sa shërbimi ushtarak?

Rabbi Tzemach Mazuz, drejtues i një yeshive në Bnei Brak, pohon se lutjet dhe studimet e vazhdueshme të studentëve të tij mbrojnë ushtarët po aq sa tanket dhe avionët. Por jashtë komuniteteve Haredi, shumë izraelitë e shohin këtë si padrejtësi. Një numër i madh qytetarësh dhe figurash publike kërkojnë barazi në sakrificë: shërbimi ushtarak, thonë ata, duhet të jetë obligim për të gjithë.

Ndërkohë, presioni për reformë ka krijuar përçarje edhe brenda qeverisë. Netanyahu ka premtuar se ligji i ri do të sjellë rekrutimin e 10.000 studentëve të yeshivave brenda dy vjetësh – një “revolucion”, sipas tij. Por projektligji aktual shihet si tepër i butë nga shumë deputetë, madje edhe nga aleatët e tij. Teksti i tanishëm vazhdon të përjashtojë ata që studiojnë me kohë të plotë në yeshiva dhe heq çdo sanksion për shmangien e shërbimit pas moshës 26 vjeç.

Opozita e quan ligjin “tradhti” dhe “turp”, ndërsa disa figura të larta brenda Likudit kanë paralajmëruar se zgjidhja e propozuar vetëm sa thellon problemin.

Ndërkohë, partitë ultra-ortodokse – të domosdoshme për mbijetesën politike të Netanyahut, i cili vazhdon të përballet me akuza për korrupsion – janë të ndara mes rezistencës së fortë dhe kompromisit të kujdesshëm.

Të fundit nga rubrika