Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka bërë të ditur të mërkurën se kontingjenti i 44-të kroat u dërgua nga kazermat e “Brigadës së 3-të të Gardës Kune” në Gjakovë në kuadër misionit të KFOR-it.
Anushiq në platformën sociale të kompanisë amerikane X njoftoi se 151 anëtarë të Forcave të Armatosura Kroate (OSRH) po nisen për operacionin e mbështetjes së paqes dhe theksoi se ushtarët kroatë me angazhimin e tyre përfaqësojnë një “pasqyrë të popullit kroat”.
“Ushtarët kroatë janë pasqyra e popullit kroat. Çdo nisje e tyre në një vend të huaj nën emblemën kroate është nder dhe krenari për atdheun tonë”, tha ministri kroat, duke shtuar se “çdo komandant i huaj e di se çfarë është ushtria kroate dhe e respekton atë për profesionalizmin dhe aftësinë e pjesëtarëve të OSRH-së”.
Ai theksoi se angazhimi në Kosovë e konfirmon përkushtimin e Kosovës ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Evropës Juglindore. Ai gjithashtu u përcolli urime ushtarëve para nisjes në mision.
“Ruajtja e paqes në Kosovë konfirmon përkushtimin e Kroacisë për sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Pjesëtarëve të kontingjentit të 44-të kroat u uroj përfundim të suksesshme të misionit të tyre dhe kthim të sigurt në atdhe”, tha Anushiq.