Ndërsa përmbytjet kanë marrë Mozambikun, krokodilët kanë filluar të shfaqen në qytete të përmbytura dhe janë përgjegjës për të paktën tre vdekje.
Në qytetin Xai-Xai, kryeqendra e provincës Gaza dhe një nga zonat më të goditura në Afrikën Juglindore, autoritetet kanë paralajmëruar banorët për rrezik të shtuar nga krokodilët, teksa ujërat e përmbytjeve po zgjerohen dhe evakuimet drejt zonave më të larta vazhdojnë, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet e rënda në pjesë të Afrikës Jugore gjatë muajit të fundit kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 100 personave në Mozambik, Afrikën e Jugut dhe Zimbabve, duke shkatërruar mijëra shtëpi dhe duke dëmtuar infrastrukturën, përfshirë rrugë, ura, shkolla dhe objekte shëndetësore.
Nga 13 personat e raportuar të vdekur si pasojë e përmbytjeve në Mozambik, tre kanë mbetur të vdekur nga krokodilët, thanë autoritetet.
“Nivelet e lumenjve po rriten dhe po arrijnë në zona urbane ose zona shumë të populluara,” tha këtë javë Paola Emerson, shefe e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare në Mozambik, pas një vizite në qytet.
“Kështu, krokodilët që ndodhen në lumin Limpopo, në këtë rast, janë në gjendje të futen në zona të banuara që tani janë të mbuluara nga uji, dhe kjo është arsyeja e shqetësimit.”
Lumi Limpopo rrjedh nga Afrika e Jugut përmes Mozambikut, përpara se të derdhet në Oqeanin Indian.
Dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm nga krokodilët në rajonin Gaza më herët këtë muaj.
Autoritetet në Maputo thanë se krokodilët duket se janë shtyrë drejt zonës nga ujërat e përmbytjeve që vinin nga një park në Afrikën e Jugut fqinje.
“U bëjmë thirrje të gjithëve të mos i afrohen ujërave të qeta, sepse krokodilët po lëvizin në këto ujëra. Lumenjtë janë lidhur me të gjitha zonat ku ka ujë,” u tha nga mediat lokale.
Përtej rrezikut të menjëhershëm nga kafshët e egra, përmbytjet kanë shkaktuar edhe një krizë humanitare gjithnjë e më të thellë.
Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për ndërprerje serioze të shërbimeve shëndetësore në provincat Gaza dhe Maputo, pas shkatërrimit të të paktën 44 objekteve shëndetësore, duke lënë dhjetëra mijëra njerëz pa qasje në kujdes shëndetësor.
Agjencia e OKB-së tha se dëmtimi i infrastrukturës kritike ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve, ndërsa më shumë se 50 mijë persona, të zhvendosur në strehimore të përkohshme, përballen me shërbime bazë shëndetësore të kufizuara ose inekzistente.