Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar qytetarët që të mos hapin pusetat e kanalizimit gjatë reshjeve, pas paralajmërimeve për vërshime nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Sipas KRU-së, hapja e pusetave mund të shkaktojë depërtimin e ujërave të shiut nëpër shtëpi.
“Përgjatë reshjeve të dendura, ndalohet rreptësisht hapja e pusetave të kanalizimit në mënyrë që ujërat e shiut të depërtojnë brenda në kanalizim, me ç’rast uji mund të depërtojë në shtëpitë tuaja”, thuhet nga ana e KRU-së.
Kompania shpjegon se gjysma e linjave të kanalizimit në Prishtinë janë të vjetra dhe të dizajnuara shumë kohë më parë.
Sistemet aktuale janë të përbashkëta për ujërat atmosferikë dhe fekale, gjë që rëndon funksionimin e tyre gjatë reshjeve të vrullshme.
