Një prej vendimeve të tjera të miratuara është bartja e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Po ashtu, Qeveria ka themeluar Sistemin për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Me këtë vendim, Jeton Zulfaj emërohet koordinator kombëtar i këtij instrumenti, duke koordinuar strukturat ndërinstitucionale të Qeverisë.
Një vendim tjetër i rëndësishëm lidhet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Qeverinë e Belgjikës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe harmonizimin e procedurave ligjore.
Ekzekutivi ka miratuar gjithashtu përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë, në përputhje me listën e Bashkimit Evropian, për të rritur kontrollin mbi mallrat me ndikim në sigurinë kombëtare dhe publike.
Në fushën e arsimit, Qeveria ka aprovuar pagesën e 55 specializantëve me vetëfinancim dhe të 37 specializantëve nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Një tjetër vendim ka të bëjë me themelimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike, që do të koordinojë zbatimin e dokumenteve strategjike për modernizimin e administratës dhe përbëhet nga përfaqësues të ministrive kyçe dhe Zyra e Kryeministrit.
Në kuadër të zhvillimeve infrastrukturore, Qeveria ka miratuar vendimin preliminar për shpronësimin e pronës ish-shoqërore “KBI Ereniku” për realizimin e projektit “Ndërtimi i Zonës Industriale të Mbrojtjes”, si dhe vendime të ngjashme për pronat e tjera me interes publik./Telegrafi