Këtë të enjte në orën 14:00 do të mblidhet Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Mbledhja vjen pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit.
Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.
Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Presidenca: Gjykata nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga dekreti i Osmanit