Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës, duke akuzuar BE-në për qasje të butë ndaj Serbisë.
Kështu, Kurti ka theksuar se Serbia po rreshtohet me Rusinë dhe nuk ka sanksione për të.
“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar – padrejtësisht – dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, ka thënë Kurti për POLITICO.
Në lidhje me sanksionet, një zëdhënës i BE-së ka thënë se Kosova nuk i ka përmbushur kërkesat për heqjen e masave.
“BE-ja ka bërë kërkesa specifike për deskalim në Kosovë dhe ato i janë komunikuar qartë dhe në mënyrë të përsëritur palës kosovare. Këto masa janë të kthyeshme – por Kosova ende nuk i ka përmbushur plotësisht ato kërkesa”.
Kurti ka shtuar se qeveria e tij është e përkushtuar që së shpejti të mbajë zgjedhje të reja në veri të vendit.
“Mund të jenë këtë vit, në muajt e ardhshëm”, ka shtuar Kurti.