Kurti bisedë telefonike me Chollet, theksohet sërish zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes së Brukselit

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në bisedë telefonike me këshilltarin e lartë amerikan, Derek Chollet kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog, me theks të veçantë te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes së Brukselit

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbrëmjen e së mërkurës ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate.

Në këtë bisedë telefonike ata diskutuan për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë – Serbi, ku u kërkua që të ketë zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes së Brukselit.

Po ashtu, u diskutua edhe për situatën në katër komunat veriore dhe finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstituive.

“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur. Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje, thuhet se Kurti me këshilltarin amerikan e filluan bisedën me vizitën e suksesshme në Kosovë të administratores së USAID-it, Samantha Power, me të cilën shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.

“Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet tutje në njoftim.

Një ditë më parë, të mërkurën, Chollet ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai është cituar t’i ketë thënë Vuçiqit se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika