Kurti dhe shefi i diplomacisë austriake, Schallenberg zotohen për rritje të bashkëpunimit

Kryeministri Kurti në takimin e tij me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Schallenberg, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme për të shtuar bashkëpunimin me Austrinë, me qëllim të rritjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e 14 qershorit, ka mirëpritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, si një aleat, partner dhe mik të Republikës së Kosovës.

Kurti e ka falënderuar ministrin e Jashtëm austriak për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme të Austrisë për popullin e Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka veçuar faktin se Austria ishte vendi i parë që ka njohur diplomatë të Kosovës në vitet e ’90-ta, duke njohur universitetin dhe sistemin tonë arsimor, në një kohë kur studentët protestonin për të drejta dhe kundër shtypjes nga Serbia.

Duke shprehur mirënjohjen veçanërisht për ndihmën në ekonomi, tregti, edukim, kulturë, kryeministri Kurti ka thënë se shpreson në rritje të bashkëpunimit bilateral në këto fusha.

Ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme për të shtuar bashkëpunimin me qëllim të rritjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.

Duke theksuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë, kryeministri ka thënë se Kosova dëshmon se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, u shpreh i lumtur për këtë vizitë dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në mbështetje të Republikës së Kosovës.

Ministri i përmendi lidhjet e shumëfishta mes Kosovës dhe Austrisë duke potencuar lidhjet njerëzore.

Ai ka thënë ndër të tjera se do të dëshironte që Austria të jetë mes tre investitorëve kryesorë në Kosovë dhe që të rritet bashkëpunimi në ekonomi.

Ministri vlerësoi potencialin e popullit të Kosovës, si më i riu në Evropë dhe tha se beson në mundësitë që ofron Kosova veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit.

Duke folur për energjinë e ripërtëritshme, ai ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Austrisë për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim.

Nga të dy palët është vlerësuar organizimi i Forumit të përbashkët Ekonomik në Kosovë, për mundësitë që ofroi në shkëmbimin e drejtpërdrejtë ndërmjet ndërmarrjeve të Kosovës dhe Austrisë.

Në këtë takimështë biseduar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe qasjen konstruktive dhe kreative të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Duke biseduar për rrethanat e reja gjeopolitike, Kryeministri Kurti ka thënë se mirëpret vëmendje të shtuar nga Bashkimi Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka ritheksuar synimet e Qeverisë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, për çka edhe tha se shpreson në mbështetjen dhe lidershipin e Austrisë, për të ecur përpara në këto procese.

Ministri Schallenberg gjithashtu ka ritheksuar mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika