“Kurti e Vuçiqi në një dhomë”, Konjufca ndaj Osmanit: Takimet bëhen në dhomë të negociatave, sulmet ndaj Kurtit nuk i sjellin vota

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka komentuar deklarimin e Vjosa Osmanit në një tubim në Prishtinë, ku thoshte se Albin Kurti, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryenegociatorin Miroslav Lajçak, për orë të tëra kanë qëndruar të mbyllur në një dhomë dhe, sipas saj, ajo nuk e di se çfarë kanë diskutuar aty.

Konjufca, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se dhoma e negociatave në Bruksel është pjesë normale e procesit diplomatik dhe se aty zhvillohen takime të gjata me praninë e ndërkombëtarëve.

Sipas Konjufcës, Osmani po përdorë dy tema kryesore në diskursin e saj politik – raportet me SHBA-në dhe Serbinë – për të sulmuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin.

Mes tjerash, Konjufca thotë se të njëjtin diskurs e kanë përdorur edhe partitë opozitare, PDK-në dhe LDK-në, se prej vitesh kanë përdorur të njëjtat tema politike, por pa sukses zgjedhor.

“Ajo është dhoma e Brukselit, e negociatave ku natyrisht që rrihet me orë të tëra e ku janë të gjithë ndërkombëtarët. Por, çfarë është duke ndodh tash është që Vjosa Osmani është duke përdorë dy tema që janë Amerika dhe Serbia. Amerikën po e përdorë siç e ka përdorë PDK-ja dhe LDK-ja që gjashtë vjet po mendojnë me mbrojt Amerikën prej Albin Kurtit pasi po mendojn që Amerika është e rrezikuar dhe këta kanë mbetë me dalë e me mbrojt dhe e dyta me frikësu popullin me Serbinë. Kjo që është më e fuqishme e Vetëvendosjes me Serbinë – krejt ai ndryshim që ka ndodhur në veri sipas saj është iluzion dhe nuk ka ndodhur, të gjitha janë rrena. ‘Ajo që unë e di është shumë e rëndësishme njëfarë gogoli’ – PDK-ja e LDK-ja këtë temë e kanë përdorë që 6 vjet, tri palë zgjedhje i kanë humbur me këto tema dhe të katërtat kanë për t’i humbur”, u shpreh Konjufca.

Konjufca komentoi edhe raportin politik të Osmanit me Kurtin, duke thënë se ish-presidentja po përpiqet të fitojë mbështetje duke e sulmuar ish-aleatin e saj politik.

“Osmani nuk mundet me fitu vota duke thënë se Albin Kurti është më i miri, ajo po mundohet të fitojë vota duke thënë se Albin Kurti është më i keqi, këtë rrugë e ka zgjedh dhe nuk po e di se kjo rrugë nuk funksionon. Ne jemi ata që kemi qenë më 2021. Albin Kurti është ai i vitit 2021 për të cilin thoshte se është më i miri”, u shpreh Konjufca.

Të fundit nga rubrika