Kurti: Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit UÇK-ja

Kurti ka deklaruar se më 30 prill 1999, kur forcat e shumta ushtarake të Serbisë rrethuan mijëra banorë, Ilaz Kodra bashkë me luftëtarë të tjerë u pozicionuan në mbrojte të banorëve civilë dhe luftuan me trimëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ilaz Kodra është një nga të parët e grupeve të armatosura që i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës në nderim të rënies së tyre, Kurti ka thënë se Ilaz Kodra u aktivizua politikisht qysh gjatë rinisë së hershme.

“Ilaz Kodra u aktivizua politikisht qysh gjatë rinisë së tij të hershme duke marrë pjesë në demonstratat popullore më 1981, 88, 89, 90 kundër shtypjes politike dhe diskriminimit të shqiptarëve nga pushteti i Serbisë nën Jugosllavi”, ka deklaruar Kurti.

Ai shtoi se më 30 prill 1999, kur forcat e shumta ushtarake të Serbisë rrethuan mijëra banorë, Ilaz Kodra bashkë më luftëtarë të tjerë u pozicionuan në mbrojte të banorëve civilë dhe luftuan me trimëri.

“Nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 16:00 të pasdites forcat e Serbisë i granatuan pa pushim ato anë të Drenicës, duke i vrarë 315 njerëz, mes tyre u vra atë ditë duke luftuar edhe komandanti Ilaz Kodra. I përjetshëm do të jetë kujtimi për Ilaz Kodrën dhe i nderuar vendi i tij në historinë moderne të Kosovës”, ka thënë tutje Kurti.

Më 30.04.2024 janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili kishte qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës në betejat e zhvilluara në Drenicë dhe rrethinë.

Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen “Kodra të Prekazit”. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme në Skënderaj.

Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra ishte caktuar komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra ishte nisur për t i shkuar në ndihmë popullatës. Herët në mëngjes kishte filluar sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra kishte luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe.

Ai kishte rënë në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë. Në vitin 2012 ishte zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika