Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova rregullisht komunikon dhe koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për HardTalk të BBC, teksa është pyetur se a është i gatshëm të veprojë për ta deeskaluar situatën, Kurti ka ritheksuar se për këtë ai ka ofruar edhe zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore.
“Ka qenë shumë e rëndë sepse dy organizatat ekstremiste terroriste që financohen nga Serbia dhe nga ku marrin edhe urdhrat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ka qenë shumë aktive dhe e para ka kërcënuar serbët dhe kandidatët serbë që do të donin të votonin dhe të konkurronin në zgjedhjet dhe e dyta në sulmin ndaj policisë sonë, gazetarëve por edhe për shumicën e ushtarëve të NATO-s. Unë kurrë nuk e fajësoj popullsinë minoritare serbe, ata janë 4% e popullsisë në Kosovë, por fajësoj dy organizata specifike dhe po ashtu Beogradin që i kontrollon”, ka thënë Kurti.
“Natyrisht, unë kam ofruar që sa më shpejt të ketë zgjedhje të parakohshme në katër komunat minoritare. Ne duhet të kemi shtet ligjor në mënyrë që të kemi një fushatë të drejtë dhe të hapur përpara zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ne komunikojmë rregullisht dhe me BE-në dhe me SHBA-në, por më pas duhet të respektoj dhe të zbatoj Kushtetutën dhe rendin juridik dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Unë jam kryeministër i Kosovës sepse Kosova është Republikë. Pesë ditë para marrjes së këtij vendimi me të cilin deklarojmë se këto dy organizata janë terroriste, ata janë njoftuar se çfarë do të bëjmë, kështu që ne jemi të koordinuar, kjo nuk do të thotë se jemi dakord gjatë gjithë kohës për të gjitha çështjet”, shtoi më tej Kurti.
Kurti ka theksuar se Kosova është një vend demokratik kurse Serbia sipas tij është një regjim hibrid më tepër autokratik.
“Ai (Vuçiq), më sulmon çdo ditë, ndonjëherë disa herë në ditë, por Kosova është një vend demokratik, me orientim properëndimor, sipas Transparency International, për Freedom House, Kosova është një vend demokratik ndërsa Serbia është një regjim hibrid më tepër autokratik, kështu që ne jemi pro BE-së, pro NATO-s dhe pro SHBA-së. Serbia është shumë e lidhur me Kremlinin”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti ka vlerësuar se faktori ndërkombëtar është i butë ndaj Serbisë me qëllim që ta largojë atë nga ndikimi rus.
“Mendoj që ajo që ata po përpiqen të bëjnë është të jenë të butë ndaj Serbisë në përpjekje për ta larguar atë nga ndikimi i Kremlinit dhe mendoj se kjo politikë nuk do të funksionojë. Nuk kam shpjegim tjetër pse po tolerojnë kaq shumë. Nuk di si t’ia shpjegoj vetes dhe të tjerëve se sa të butë janë ata me Beogradin. Mendoj se ata janë kaq të shqetësuar për mundësinë e përhapjes në Ballkan dhe kjo është reale për shkak të lidhjes së Beogradit me Moskën, por edhe ata e dinë se sundimtari serb në Beograd nuk është demokrat dhe ka shumë pushtet. Ky lloj pushteti hegjemonist rajonal që mund ta lidhë në mënyrë indirekte me Moskën po shkakton shumë frikë në Perëndim dhe për të cilin besoj se Republika e Kosovës nuk duhet të paguajë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se “Beogradi donte që ky Asociacion të largohej nga politika për etnonacionalizëm territorial që rezultoi në Republikën Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ne nuk jemi të frikësuar, ne jemi vetëm vigjilentë sepse Beogradi po i përdor për të mos njohur Kosovën dhe për të kërkuar ndarjen e Kosovës”.
Kurti është shprehur i gatshëm që të takohet me presidentin Vuçiq, teksa përmend edhe takimin e fundit në Bruksel, ku ky i fundit kishte refuzuar të takohet me kreun e ekzekutivit kosovar.
“Sigurisht që isha në Bruksel, më 22 qershor, por ishte presidenti Vuçiq ai që nuk u takua. Konstruktiviteti dhe krijimtaria ime ka qenë … e mbushur me propozime të ndryshme. Për shembull, unë propozova modelin i cili është frymëzuar nga serbët në Kroaci. Serbët në Kroaci kanë një marrëveshje normalizuese me mekanizmin për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe serbët ishin të kënaqur me këtë, thashë ta bëjmë, por ata nuk dëgjojnë”.
“Këto sanksione nuk kanë të bëjnë fare me marrëveshjen e vitit 2013 sepse ajo marrëveshje është pjesë e 39 marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar nga paraardhësit e mi…”.