Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për korrigjimin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e diasporës shqiptare në New York, Kurti tha se nevojitet një strategji shtetërore për reagimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, përfshirë mbështetjen për ekipet mbrojtëse në procedurat e apelit dhe angazhimin diplomatik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka theksuar se duhet të arrihet dakordim për një strategji shtetërore, në mënyrë që reagimi ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të jetë sa më i përshtatshëm dhe efikas.
Sipas Kurtit, kjo strategji duhet të përfshijë mbështetjen për ekipet mbrojtëse në instancat e apelit, por edhe veprime në rrafshin diplomatik.
“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”, ka deklaruar Kurti.