Varrimi me ceremoni shtetërore në Serbi i kriminelit serb, Ratko Mlladiq, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid, tregon se Serbia ka kaluar në “adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka deklaruar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka kritikuar ceremoninë e organizuar për Mlladiqin, duke e lidhur atë me mënyrën se si Serbia, sipas tij, i trajton figurat e së kaluarës së luftës.
“Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kritikuar edhe pjesëmarrjen e klerit fetar në ceremoninë e varrimit.
“Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, kryeministri në detyrë ka thënë se veprimet e fundit të Serbisë shkojnë përtej mohimit të krimeve.
“Që nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka shkruar ai.
Kurti ka kujtuar gjithashtu se Ratko Mlladiq është shpallur fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, ku në vitin 1995 u vranë mbi 8 mijë boshnjakë.
Kurti ka krahasuar ngjarjet e shënuara ditëve të fundit në Kosovë me ceremoninë shtetërore në Serbi për Mlladiqin, i cili është dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për krime të luftës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.
Ai ka përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, 29-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe 10-vjetorin e shenjtërimit të saj, si dhe Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.
Në anën tjetër, Kurti ka kritikuar ashpër Serbinë për ceremoninë e organizuar për Mlladiqin.
“Shteti që për vite nuk e dorëzoi te drejtësia, dje e solli kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbështolli me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë e orkestër”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, një veprim i tillë tregon se mohimi i gjenocidit ka kaluar në një nivel tjetër.
“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007, duke theksuar se Serbia kishte dështuar në përmbushjen e detyrimit për parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe për bashkëpunim me Tribunalin.
Në fund të postimit, Kurti ka thënë se zhvillimet e fundit në Serbi paraqesin, sipas tij, një shkallë të re të glorifikimit të krimeve të luftës.
“Mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka përfunduar Kurti.