Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar sot 21 viktimat e masakrës së 28 marsit 1999 në Podujevë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga krimet më të rënda ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Kurti rikujtoi se mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu u krye një akt mizor nga njësiti paramilitar serb i njohur si “Shkorpionët”, i cili më herët kishte kryer krime edhe në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë Masakra e Srebrenicës.
Ai theksoi se pas vrasjes së dy burrave të moshuar, gratë dhe fëmijët u rreshtuan dhe u qëlluan me breshëri automatike, duke lënë të vrara shtatë gra dhe shtatë fëmijë, mes tyre edhe një foshnjë 18 muajshe.
Kryeministri vuri në pah edhe historinë e të mbijetuarve, të cilët i cilësoi si “dëshmi të gjalla të krimit dhe të qëndresës njerëzore”, duke përmendur fëmijët që i mbijetuan plagëve të rënda dhe që sot bartin kujtesën e asaj dite tragjike.
Duke folur për drejtësinë, Kurti u shpreh se krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë kanë dëshmi dhe dëshmitarë, dhe se ato duhet të shndërrohen në aktakuza konkrete dhe dënime të merituara.
Ai e cilësoi si hap të rëndësishëm themelimin e Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, duke theksuar se dokumentimi i së vërtetës historike duhet të pasohet me veprime konkrete nga sistemi i drejtësisë.
Kurti u bëri thirrje institucioneve të Kosovës, veçanërisht Prokurorisë së Shtetit, që të veprojnë me vendosmëri më të madhe për ndjekjen e krimeve të luftës, duke nënvizuar se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale mundësojnë ngritjen e aktakuzave edhe në mungesë të të dyshuarve.
Sipas tij, ndonëse në vitet e fundit është rritur numri i hetimeve dhe aktakuzave për krimet e luftës, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre mbetet ende e paplotë.
“Nuk mund të ketë paqe të plotë pa drejtësi”, ka theksuar Kurti, duke përfunduar me mesazhin për përkujtim të përhershëm dhe përgjegjësi institucionale ndaj historisë dhe viktimave të luftës në Kosovë.