Kurti: Po të vareshim nga Lista Serbe, tani do të rrëzohej qeveria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë interpelancës për çështjen “masat urgjente”, në raport me situatën e krijuar në vend, ka thënë se po të varej qeveria nga Lista Serbe, me siguri do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





“Sikur të ishim në qeveritë e kaluara, ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe, me siguri, do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë. Por, ja që kjo nuk është e mundur tash. Ka ndodhur ndryshimi i madh dhe besoj që të gjithë duhet të gëzohemi që kemi një qeveri që nuk varet nga votat e Listës Serbe”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë interpelancës për çështjen “masat urgjente”, në raport me situatën e krijuar në vend.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka rifolur për takimin e fundit të tij në Bruksel, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Më 23 nëntor të këtij viti, në mbledhjen e 109 të qeverisë dhe më 24 nëntor në kuvendin tonë, kam treguar rrjedhën e takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Teksti i propozuar nga Josep Borrell, si draft deklaratë i kishte 4 paragrafë. Marsi 2023, për herë të parë përmendet në ftesën e Borrell dhe Lajçak për takimin që u zhvillua. Në parim u pajtuam me këtë ftesë. Gjithmonë e kemi vënë theksin për propozimin e BE-së për marrëveshje, jo dialog për proces”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, konvertimi i targave në komuna në veri të Kosovës është e drejtë e qytetarëve, por, njëkohësisht, është edhe obligim.

“Dhjetëra mijëra serbë tashmë i kanë konvertuar në RKS. Por është pakicë që nuk i ka konvertuar”.

Në takimin në Bruksel, Kurti ka thënë se ishin dakord që t’i pezullonin veprimet e mëtejshme, ato të gjobave.

“Fokusim me urgjencë dhe me një afat të caktuar në propozimin franko-gjerman dhe në mes të pezullim të veprimeve të targave sa përket gjobave në Kosovë dhe të lëshimit të tyre në Rashkë”.

“Ky ishte propozimi ynë, shumë racional. Ndodheshim shumë afër pranë tij. Takimi i së hënës nuk ishte i suksesshëm, pasi nga fokusi i propozimit të BE-së u kalua në veprimet në lidhje me konvertimin e targave”, shtoi ai.

Ndonëse, thotë se mirëpret kritikat, kreu i ekzekutivit ka theksuar se do të duhej të kuptoheshin saktësisht edhe qartësia, vendosmëria, drejtësia dhe dobia, drejt kësaj qasjeje të re.

“Pavarësia nga Serbia është edhe pavarësi nga strukturat ilegale dhe ndikimit të tyre që kanë në politikë prej se kur ekzistojnë. Rend dhe ligj, investim e zhvillim. Kjo është krejt çka i duhet të gjithëve. Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata politike dhe e sigurisë në Kosovës, është ndër më të rëndat në këto 22 vjet.

“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë, duke i urdhëruar përfaqësuesit serbë që t’i braktisin institucionet. Për fat të keq, edhe veprimet e deritanshme të institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri në vend që të përfillte kërkesën e SHBA-ve për shtyrje të vendimit për targat, ka zgjedhur skenarin më të keq, zbatimin në faza të kësaj marrëveshjeje”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Sipas tij, situatat e jashtëzakonshme kërkojnë edhe vendime të tilla.

Haradinaj ka propozuar që të votohet Rezoluta me disa pika.

“Qeveria të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targat deri në marrëveshje finale. Institucionet e Kosovës, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës, për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë. Pika 3 e Rezolutës, qeveria të nisë me komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën. Të kërkohet një samit në SHBA”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, kjo kërkesë për interpelancë ka ardhur para vendimit të fundit të qeverisë, për shtyrje të vendimit të Qeverisë për targat.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika