Kurti: S’ka zvogëlim të përnjëhershëm të policisë në veri, vetëm gradual

Kreu i Qeverisë së Ksoovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm të pranisë policore në veri të vendit, por një zvogëlim gradual në përputhje me situatën e sigurisë. Dhe se sipas tij, Policia e Kosovës do ta zvogëlojë prezencën e saj vetëm afër ndërtesave komunale në veri, dhe jo në pjesën tjetër të vendit

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur vlerësimin e tij pozitiv për gjendjen e sigurisë në veri të vendit, duke thënë se situata është e qetë dhe e mirëmbajtur.

Në një mbledhje me drejtues të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, të enjten është vendosur që të zvogëlohet prania e policisë edhe me 25 për qind në tri ndërtesat komunale të veriut të vendit.

Kryeministri Kurti ka thënë se vendimi për zvogëlimin e pranisë së policisë është i bazuar në një vlerësim të përgjithshëm të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit.

Kjo masë, sipas kryeministrit, do të aplikohet gradualisht dhe në përputhje me rrethanat e sigurisë, duke i përjashtuar përnjëherë dhe menjëherë zonat ku vijon të ketë sfida për sundimin e plotë të ligjit.

“Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, ka shkruar Kurti në rrjetin social, Facebook.

Gjithashtu, kryeministri Kurti ka theksuar se ky veprim është një reagim ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian për deeskalim të tensioneve.

Ndër të tjera, ai ka shprehur kujdesin e tij për ndonjë rieskalim potencial, që mund të vijë nga deklaratat e urrejtjes dhe agresiviteti politik nga Serbia.

“Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023, në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për deeskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për deeskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për rieskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”, ka shkruar tutje ai.

Në fund të deklaratës, kryeministri Kurti ka ftuar qytetarët të mos i besojnë dezinformatat dhe lajmet e rreme, të cilat, sipas tij, janë nxitëse e keqkuptimit të situatës dhe synojnë të dëmtojnë Qeverinë e Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka reduktuar edhe për 25 për qind numrin e pjesëtarëve të saj në dhe rreth objekteve komunale në veri.

Kështu ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani.

Kjo ishte paralajmëruar të enjten pas një takimi në mes të policisë me EULEX-in dhe KFOR-in.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika