Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien, në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Belgjikë.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se tema e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Kryeministri ndau me O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale.
“Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë”, u shpreh kryeministri.
Kurti ia theksoi O’Brienit se sulmi në Ibër-Lepenc më 29 nëntor ishte i treti në tri ditë, pas atyre në Zveçan.
“Sulmi i të premtes së 29 nëntorit ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin Stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, “për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”.
Kurti falënderoi O’Brienin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ndaj Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë.