Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sot Bedri Hamzën për zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“I shpreh urimet e mia z. Bedri Hamzës për zgjedhjen e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Poceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjelltë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin për bashkëpunim korrekt me të gjitha forcat politike, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe përgjegjësitë që kërkon shërbimi ndaj Republikës.
“Nga ana ime, do të vazhdoj angazhimin për bashkëpunim korrekt, në përputhje me vullnetin e qytetarëve, dhe me përgjegjësitë që na i kërkon shërbimi ndaj Republikës”, ka shtuar ai.