Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvend se funksionimi i institucioneve duhet të vazhdojë pa pengesa dhe se Kuvendi nuk mund të përdoret si mjet për tejkalimin e krizave politike, duke theksuar se vullneti i popullit nuk mund të anulohet me dekrete.
Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar kufijtë e kompetencave të institucioneve, duke shtuar se Kuvendi mbetet funksional dhe deputetët kanë përgjegjësi të plotë për vazhdimin e punës.
“Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete e rrjedhimisht as nuk shpërndahet. Tani pas qartësimit dhe vërtetimit të kësaj të vërtetët të pamohueshme, sot nuk kemi një boshllëk institucional para nesh, por kemi një detyrë të qartë: kuvendi është funksional dhe i kthehet punës së tij. Mandati i deputetëve është i gjallë dhe përgjegjësia ndaj politikave publike është edhe më e madhe. Afatet kushtetuese janë në rrjedhë, shteti nuk ka ndalur së vepruari dhe nuk ka as një arsye që ne ta ndalim atë. Përkundrazi, çdo përpjekje për ta ndërprerë këtë funksionim, do të ishte jo vetëm politikisht e gabuar, por edhe një precedent që cenon vet idenë e ndarjes dhe balancës së pushteteve”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka deklaruar se vendi nuk ndodhet në boshllëk institucional dhe se prioritet duhet të jenë marrëveshjet ndërkombëtare dhe agjenda legjislative që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Vazhdimi i punës së institucioneve tona është më konkret se kurrë, por njëkohësisht, më i nevojshëm se asnjëherë më parë. Pra rruga para nesh, nuk duhet të jenë pengesat, inatet apo refuzimet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjenda legjislative që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve pa dallim, politika publike në dobi të brezave që vijnë që kërkojnë konsistencë dhe siguri juridike. Të gjitha këto, nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht. Vullneti i populli është shprehur më 28 dhjetor, në zgjedhje të lira e demokratike, tash ne duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët”, ka deklaruar tutje Kurti.
Kurti gjithashtu ka folur nevojën e avancimit të ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar luftën kundër korrupsionit si proces të pandërprerë dhe jo të varur nga zhvillimet politike.
“Qytetarët presin që ne të procedojmë sa më shpejtë me Byronë për Konfiskimin e pasurisë së Pajustifikueshme, sepse lufta kundër korrupsionit nuk është një kapitull që hapet dhe mbyllet sipas nevojës politike, por është një vijë e pandërprerë që e ndan drejtësinë-nga padrejtësia. Nëse qytetarët e mirëpresin, nuk ka arsye që partitë ta mbështesin…. Nëse qytetari i zakonshëm duhet të jap llogari për çdo cent që e fiton, atëherë edhe ai që është pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme, duhet të jap përgjigje për çdo euro që ka abuzuar. Këtë nuk e bëjmë si një akt hakmarrjeje, por si një akt barazie. Sepse një shtet që nuk i dënon të fortit e padrejtë, në fakt i braktisë të dobëtit çdo ditë. Nëse i kërkojmë tatimin secilit që punon me djersë në ballë, e me mund fizik a intelektual, dhe vjen i rraskapitur çdo mbrëmje, atëherë cila është arsyeja që të mos kërkojmë nga ata që pa asnjë përpjekje i çelë mëngjesi të pasuruar”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe nevojën për masa ndaj çmimeve të larta, duke rikthyer debatin për ligjin për “çmimet tavan”, siç tha ai, në mbrojtje të qytetarëve dhe ekonomisë familjare.
“Derisa presim mbështetje për ligjin për Byronë, pra abuzimet me fondet publike, ne gjithashtu presim mbështetjen për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me çmimet e larta. Pozita dhe opozita janë dëshmitarë se qytetarët kanë ankesa për çmimet e larta. Atëherë nëse pajtohemi për problemin, duhet të pajtohemi edhe për zgjidhjen. Me fjalë të tjera, duhet ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, jo si një debat ideologjik – por si përgjigje konkrete ndaj një realiteti që çdo familje e ndjen përditë”, ka deklaruar Kurti.