Gjykata Kushtetuese ka publikuar të enjten aktgjykimin lidhur me çështjen e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit, duke theksuar se konstituimi duhet të përfundojë brenda 30 ditëve.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për interpretimin e kushtetutshmërisë së mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit. Gjykata konstatoi gjithashtu se seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj nuk janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën.
Pas publikimit të aktgjykimit, partitë politike kanë reaguar me interpretime të ndryshme.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) theksoi se vendimi konfirmon përgjegjësinë kolektive të deputetëve për konstituimin e Kuvendit, barazinë mes pozitës së kryetarit dhe nënkryetarëve, si dhe lejimin e votimit të fshehtë.
Sipas LVV-së, opozita nuk duhet më ta përdorë këtë çështje si pretekst për të refuzuar pjesëmarrjen në votim.
“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë atë që e kemi përsëritur dhe kemi insistuar që në fillim të procesit të konsituimit të Kuvendit:
1. Obligimi për të përfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
2. Zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.
3. Votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e VV-së.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përshëndeti vendimin, duke thënë se ai konfirmon qartazi afatin kushtetues 30-ditor dhe domosdoshmërinë e respektimit të rendit demokratik.
Krasniqi akuzoi koalicionin VV-Guxo-Alternativa për vonesa të qëllimshme dhe kërkoi zbatim të menjëhershëm të vendimit.
“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”, ka thënë Krasniqi.
LDK gjithashtu mirëpriti aktgjykimin, duke theksuar se grupi më i madh parlamentar nuk ka të drejtë të bllokojë konstituimin dhe duhet të arrijë marrëveshje me grupet tjera.
Sipas LDK-së, mënyra e votimit duhet të respektojë Rregulloren e Punës dhe praktikat e deritashme parlamentare.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, të drejtës dhe detyrimeve të grupit më të madh parlamentar, si dhe në lidhje me mënyrën e votimit në seancën konstituive.
Ky aktgjykim ka përcaktuar qartazi se grupi më i madh parlamentar nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se kërkesa në Kushtetuese nuk ishte për përfitime partiake, por për të dalë nga një krizë institucionale e pashembullt.
Ai bëri thirrje për respektim të vendimit nga të gjithë deputetët, duke e konsideruar aktgjykimin si bazë për zgjidhjen e ngërçit politik.
“Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar.
Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka thënë Haradinaj.