Kushtrim Duraku, 14 vjeçar në UÇK “Mosha s’çon peshë, liria mbi të gjitha”

Shumë histori të jashtëzakonshme për luftën dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëgjuar ndër vite, e një ndër to, për TV Dukagjini e ka rrëfyer Kushtrim Duraku, i cili në moshën 14 vjeçare i ishte bashkuar radhëve të UÇK-së në Zonën e Drenicës, duke qëndruar deri në fund të luftës deri në ditët e lirisë, me armë në dorë, duke luftuar krah shumë shokëve të cilët sot janë dëshmorë

Nga fshati i lindjes së njërit nga themeluesit, më vonë përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, vjen edhe një histori tjetër e jashtëzakonshme e ushtrisë që e solli lirinë dhe shtetin, Republikën e Kosovës.

Për shkak të historikut të familjes nga ku e kishte gjetur frymëzimin, Kushtrim Duraku, si 14 vjeçar ishte frymëzuar dhe i ishte bashkuar radhëve të UÇK-së.

“Unë i jam bashkëngjitur Abedin Rexhës më 1997, aksioni i parë që është kryer më 25 nëntor, pas dy javëve e kam takuar Abedin Rexhën edhe kam bisedu me të, unë jam i gatshëm me ju bashkëngjit juve edhe me juve do të vdes, do të vdes në çdo betejë edhe në çdo vend ku ka nevojë. Unë kam qenë atëherë 14 vjeçare”, ka thënë Kushtrim Duraku – Ish-ushtar i UÇK-së.

Edhe për patriotët si Abedin Rexha-Sandokani, të cilët ishin të interesuar për zgjerimin e luftës dhe rritjen e numrit të ushtarëve, ishte e pazakontë që një 14 vjeçar t’u bashkohet, por edhe ai u mësua me kohë.Se çfarë personazhi i pazakontë dhe çfarë vullneti për luftë e liri portretizonte Kushtrim Durakun, atë kohë, e dëshmon edhe historia e kësaj fotografie e realizuar para 27 viteve.

“Kjo ka qenë më 1999 ishim duke bër përgatitjet në Vojnik (Skenderaj) patën ardhur OSBE edhe dojshin me e ditë kush, çfarë përgatitje ka UÇK, komandanti Skender Skenderi me komandantin Niam Jusollin e me shumë tjerë përgjegjës, atëherë OSBE më pyeti mua për çfarë arsye e ke kapur pushkën. Unë thash e kam kapur për arsyen se dojmë liri sikur të gjithë popujt, kjo është arsya ime edhe më vetën, për moshë sa vjeçar. Kur ju tregova si moshën ata nuk më besuan i thash se jam në moshën qikaq ja nuk është e mundur e pyeti një koleg timin një luftëtar timin tha, kjo nuk është e mundur ju thash për liri mosha nuk qon peshë, liria është mbi të gjithat”, ka thënë Kushtrim Duraku – Ish-ushtar i UÇK-së.

14 vjeçari i cili ishte pjesë e Brigadës 112-Arben Haliti në ZO të Drenicës, thotë se krahas krenarisë në betejat që fitoheshin e përplasjeve kur thehej armiku serb, kishte edhe dhimbje e vuajtje, sidomos kur shihnin civilë të vrarë e shokë të cilët binin dëshmorë.

Në kohën kur në Hagë po gjykohen për krime lufte ish-udhëheqësit e UÇK-së, Duraku thotë se pret që të shpallen të pafajshëm dhe që e gjithë historia të shërbejë si mësim se të gjithë duhet të jenë të bashkuar dhe ta mbrojmë luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.

 

Të fundit nga rubrika