Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën kanë arritur numrin më të madh të votave në nivel vendi sa i përket garës për Kuvende Komunale.
Në njoftimin e bërë nga PDK-ja, partia e tyre radhitet e para me mbi 175 mijë vota duke lënë prapa Lidhjen Demokratike të Kosovës me 168 mijë vota dhe Lëvizjen Vetëvendosje me 156 mijë vota, njofton Dukagjini.
Tutje në njoftimin e lëshuar nga PDK-ja thuhet se në garën për kryetarë komunash, kjo parti ka dalë e dyta me rreth 200 mijë vota.
“PDK ka fituar në raundin e parë në tri komuna: Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit. Ndërkohë, bazuar në rezultatet preliminare, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para. Komunat ku PDK-ja shkon si e para në balotazh janë: Prizreni, Mitrovica, Vushtrria dhe Kaçaniku. Ndërsa në Klinë dhe Dragash, PDK shkon si e dyta në balotazh”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK-ja vlerëson se kanë arritur të shndërrohen si forcë kryesore politike në Prishtinë edhe pse kandidati i tyre është radhitur i treti.
“PDK ka arritur të shndërrohet si forcë kryesore politike edhe në kryeqytet. Sa i përket votave të marra për Kuvendin Komunal të Prishtinës, PDK ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë, duke u radhitur si parti e dytë me mbi 21 mijë vota, pa u numëruar ende të gjitha kutitë. Ndërkaq, kandidati ynë për kryetar Uran Ismaili është radhitur i treti me 28 mijë e 588 vota, me mbi 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021”.
Reagimi i PDK-së vjen pasi disa orë më parë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shprehu se partia e tij del e para për vota në Kuvende Komunale me 180 mijë sosh.
“Kokën lart të gjithë. Sepse LDK-ja sot është më e fortë, më e organizuar dhe më e lidhur me njerëzit se kurrë më parë. Ju jeni dëshmia e kësaj. LDK ka sot mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, dhe pa diskutim del partia e parë nga këto zgjedhje lokale”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Kujtojmë se rezultatet aktuale, si për kuvendet komunale ashtu edhe për kryetarët e komunave, ende nuk janë përfundimtare. Për shkak se në disa komuna procesimi i votave nuk ka përfunduar, mbetet mundësia për ndryshime në përqindje apo renditje.