Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë dhe ish-emisari për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar tërheqjen nga posti i këshilltarit të Kryeministrit sllovak Robert Fico, pas publikimit të komunikimeve të tij me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein, raportojnë mediat sllovake.
Kryeministri Fico bëri të ditur se do ta pranojë dorëheqjen e Lajçakut, duke shprehur njëkohësisht kritika të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë. Sipas tij, reagimet e tyre përfaqësojnë një nivel hipokrizie që nuk e kishte parë “prej kohësh”.
“Miro e ka dëshmuar edhe një herë veten si një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë. Megjithatë, jo vetëm unë, por të gjithë ne po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”, ka deklaruar Fico.
Ai shtoi se është e çuditshme, sipas tij, që një “simbiozë e ngjashme mes mediave, opozitës dhe partive qeveritare” nuk ka shënjestruar liderin e opozitës Michal Šimečka, për të cilin Fico pretendon se, përmes mashtrimeve me grante në nivel kombëtar dhe të BE-së, paraqet një rrezik më të madh për reputacionin e Sllovakisë sesa këshilltari i tij, Miroslav Lajçak.