“Lajm i mirë, por i vonuar”, modernizimi i A3-shit ishte paraparë të përfundonte më 2024

Më 2024 do të duhej të përfundonte modernizimi i bllokut A3, në termocentralin “Kosova A”, por tek dje KEK-u njoftoi se ka përfunduar fazën e parë të procesit të prokurimit për projektin në vlerë të parashikuar rreth 137 milionë euro. Ndonëse lajm i mirë, ky vlerësohet të jetë hap i vonuar që u kushtoi dhe do t’ju kushtojë qytetarëve

Dhjetë muaj pas hapjes së procedurave të prokurimit për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3, Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi se ka mbyllur me sukses fazën e parë – me tre operatorë të kualifikuar për garën tutje.

Por, projekti në vlerë të parashikuar rreth 137 milionë euro, me të cilin synohet rritja e kapacitetit prodhues të bllokut A3, nga rreth 135 deri në 215 megavatë për orë do të duhej të ishte përfunduar më 2024.

Këtë afat e kishte caktuar vetë Qeveria në Programin për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë për periudhën 2022 – 2025.

Në rrethanat aktuale, marrë parasysh procedurat e mbetura të prokurimit, punët nuk pritet të nisin deri afër gjysmës së vitit 2026, ndërsa mund të zgjasin deri në dy vjet.

Koston e vonesave në modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, sipas Kushtrim Ahmetit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, e bartin qytetarët nisur nga ngritja e tarifave si pasojë e nevojës për import.

“Fatkeqësia është që të gjitha qeveritë kur po janë në opozitë po e kanë gojën plotë e po japin ide të jashtëzakonshme, të themi, për sidomos diversifikimin e prodhimit të energjisë dhe zhvillimin e këtij sektori që po e shohim të gjithë që është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm për vendin, por në anën tjetër kur po vijnë në Qeveri po i harrojnë të gjitha ato premtime. Do me thënë, ne po vazhdojmë Qeveri pas Qeverie duke dështuar në mënyrë konstante”, ka deklaruar  Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

Pasi tha se po të veprohej me kohë Kosova do të ishte fuqi energjetike nuk do të përballej me pengesat nga direktivat e reja të BE-së, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu shtoi se koston e vonesave e paguajnë konsumatorët dhe ekonomia.

“Është një vendim i vonuar në disa dimensione. E para projekti në vete ka përjetuar amortizim moral, por edhe amortizim fiskal sepse po të ishte kryer më herët kostoja do të ishte shumë më e ulët se tani. Në rend të dytë sikur të bëhej një kalkulim nga viti 2000 e deri sot, sa miliona e miliarda janë investu në riparim të pajisjeve të vjetra me siguri Kosova do të kishte teknologji më moderne”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu, Ekspert i Ekonomisë.

Në një llogaritje me çmimin mesatar të importit prej 161 eurosh për megavatë orë – të caktuar nga ZRRE-ja si referencë për vitin 2025 – mungesa e diferencës prej 80 megavatësh për orë më pak prodhim, vetëm gjatë dimrit, mund të krijojë kosto deri në 27 milionë euro për blerje të energjisë nga jashtë.

Të fundit nga rubrika