Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas arritjes së një marrëveshjeje paszgjedhore mes kandidatit të saj në Vushtrri, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Sylejman Meholli.
Në një komunikatë për media, LDK sqaroi se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.
Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thuhet në njoftim.