LDK do të reflektojë institucionalisht, thotë Abdixhiku: Do vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kryesia e LDK-së do të mblidhet, dhe më pas do të organizohet Kuvendi i partisë, ku sipas kryetarit Lumir Abdixhiku do të vendosë anëtarësia e LDK-së, dhe jo interesat e ngushta ose presionet e jashtme.

Në një shkrim të publikuar sot, Abdixhiku falënderoi të gjithë 126,102 qytetarët që votuan për LDK-në, duke e quajtur secilën votë “përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen”.

Ai pranoi se rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që prisnin, por theksoi se partia dhe individët nuk i shmangen përgjegjësisë dhe reflektimit.

“Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë. Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë.

LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin.

Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara.

Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme.

Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira.

Faleminderit secilit që na votoi, na mbështeti dhe na qëndroi pranë. Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh”, ka shkruar Abdixhiku.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika