Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimin e lartë të naftës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, kritikoi qeverinë, siç tha, për neglizhencë në këtë drejtim.
“Kemi ndërmarrë një iniciativë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Çmim i cili ka ndikuar në rritjen e të gjitha çmimeve të tjera dhe si rezultat i kësaj jemi duke u përballur me një krizë financiare, ku secili qytetar dhe familje është duke u përballur me vështirësi për shkak të inflacionit të madh dhe çmimit të naftës.
Në këtë rast jemi në proces të mbledhjes së nënshkrimeve dhe do të propozojmë një rezolutë ku obligon qeverinë që të marrë masa të menjëhershme. Jemi të shqetësuar me qasjen e qeverisë dhe mosmarrjen e asnjë veprimi për të lehtësuar jetën e qytetarëve. Ka mundur të jetë implikim në akcizë, ulje të TVSh-së apo çfarëdo mase tjetër”, tha Lushaku.
Lushaku pas mbledhjes së Kryesisë foli edhe për zgjedhjen e presidentit, ku shtoi se përgjegjësia kryesore për këtë proces bie mbi LVV-në.