Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media të premten në ora 11:30, para objektit të KEDS-it dhe KESCO-s.
Kjo konferencë vjen pas deklaratave të zyrtarit të LDK-së, Visar Azemi, i cili ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po maten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas Azemit, një hulumtim i realizuar nga kjo parti, ku janë testuar mbi 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj, ka treguar se 87 për qind e tyre nuk e matin kohën në mënyrë të saktë, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shumë, përkatësisht me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve kur duhet të aplikohet tarifa e lirë.
Ai e ka cilësuar këtë si mashtrim dhe ka kërkuar dorëheqjen e Bordit të ZRRE-së, si dhe nisjen e hetimeve penale.
Në anën tjetër, KEDS ka reaguar duke theksuar se njehsorët elektrikë janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare, duke mohuar çdo pretendim për matje të gabuar të energjisë elektrike.