Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka publikuar në Facebook Deklaratën Politike të miratuar në Kuvendin e partisë, pas shqyrtimit të gjendjes politike dhe organizative.
Dokumenti përcakton orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore të LDK-së për periudhën e ardhshme.
Sipas deklaratës, Kuvendi ka kërkuar riorganizim tërësor të strukturës partiake në të gjitha nivelet, të bazuar në meritokraci, angazhim të dëshmuar politik dhe funksionalitet të degëve e nëndegëve. Brenda 100 ditësh pritet të hartohet dhe finalizohet Platforma Politike dhe Organizative mbi Modelin e Ri të Organizimit të LDK-së, e cila do të parashohë ristrukturim sipas modeleve funksionale, përgjegjësi të qarta dhe mekanizma matës të performancës.
Kuvendi ka autorizuar Kryesinë për formimin e Komisionit për ndryshimin e Statutit, si dhe ka riafirmuar parimin që asnjë anëtar të mos mbajë më shumë se një funksion partiak, me përjashtim të funksioneve që burojnë nga shërbimi institucional i Republikës së Kosovës.
Në deklaratë theksohet edhe respektimi i vendimmarrjes kolegjiale dhe disiplinës statutare, duke nënvizuar se debati është i lirë para vendimit, ndërsa pas tij respektohet vullneti i shumicës. Çdo formë e individualizmit politik që cenon unitetin dhe funksionimin e partisë do të trajtohet përmes mekanizmave statutare.
Sa i përket strukturave qendrore, Kuvendi i ka kërkuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, formimin e një Kryesie të re statutare, forcimin e rolit të Kolegjiumit të Degëve dhe krijimin e Trupit Qeverisës të Përfaqësimit Lokal, me synim harmonizimin e politikave partiake me qeverisjen lokale. Po ashtu, parashihet formimi i një Trupi Këshilldhënës me figura me përvojë historike dhe institucionale në LDK.
Në pjesën programore, Kuvendi kërkon hartimin e Programit Kombëtar Politik, që e pozicionon LDK-në si forcë qeverisëse dhe faktor stabiliteti institucional, duke i dhënë mbështetje dhe autorizim të plotë kryetarit për përfaqësimin e partisë në proceset shtetërore dhe politike, në konsultim me organet legjitime.
Deklarata konsiderohet orientim obligues për veprimin politik dhe organizativ të partisë, ndërsa votëbesimi i dhënë shënon, sipas Kuvendit, fillimin e një faze të re reformuese dhe konsoliduese për LDK-në.
Kuvendi i LDK-së refuzon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut pas votimit të fshehtë