Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar duke e cilësuar si “sulm të organizuar kibernetik” dhe fushatë të koordinuar të manipulimit digjital ndaj komunikimit publik të kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, si dhe thirrjes për tubimin e bashkimit.
Në reagimin e publikuar në Facebook, LDK-ja pretendon se brenda pak minutash, mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat online.
Sipas saj, qëllimi i këtyre veprimeve ka qenë deformimi i perceptimit publik dhe krijimi i një “atmosfere të rreme refuzimi dhe polarizimi”.
“Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia opozitare u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj manipulimeve në internet, duke paralajmëruar për, siç i quan ajo, “rrënimin e kredibilitetit përmes propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride”, të cilat mund të përdoren në fushatat e ardhshme zgjedhore.
LDK-ja ka dënuar çdo ndërhyrje të tillë në opinionin publik, duke theksuar se vullneti i qytetarëve nuk mund të ndikohet nga “profile të rreme, rrjete anonime apo mekanizma propagande”.