Lideri i puçit në Gabon betohet si president

Gjenerali Brice Oligui Nguema, i cili e udhëhoqi puçin javën e kaluar përmes të cilën u rrëzua dinastia 55-vjeçare e Gabonit, u betua si president i përkohshëm të hënën, duke premtuar se do të mbajë zgjedhje “të lira...dhe transparente”, pas një periudhe të papërcaktuar

Gjenerali Brice Oligui Nguema, i cili e udhëhoqi puçin javën e kaluar përmes të cilën u rrëzua dinastia 55-vjeçare e Gabonit, u betua si president i përkohshëm të hënën, duke premtuar se do të mbajë zgjedhje “të lira…dhe transparente”, pas një periudhe të papërcaktuar.

Oliguri, shef i Gardës Republikane elitare, i udhëhoqi oficerët e lartë drejt një grusht shteti të mërkurën e kaluar kundër presidentit Ali Bongo Ondimba, pasardhësit të një familje e cila e kishte mbajtur pushtetin që nga viti 1967.

Bongo, 64 vjeç, u rrëzua nga pushteti vetëm pak orë pasi e kishte shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar – rezultati i të cilave nga opozita u cilësua si i manipuluar.

“Betohem para Zotit dhe para popullit të Gabonit se do ta ruaj me besim të plotë regjimin republikan”, ka shtuar Oligui.

I veshur me rroba të kuqe tradicionale të Gardës Republikane, Oligui, po ashtu, u betua se “do t’i ruajë arritjet e demokracisë”, në një ceremoni të mbajtur para gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë fjalimit, ai u zotua menjëherë se do të mbajë “zgjedhje të lira dhe transparente”, pas një periudhe tranzicioni, të cilën nuk e specifikoi.

Premtohen zgjedhje

Liderët e puçit të mërkurën thanë se i shpërbënë të gjitha institucionet shtetërore, e shfuqizuan rezultatin e zgjedhjeve dhe i mbyllën kufijtë përkohësisht.

Vendet e huaja nuk e njohim Oliguin si lider të ligjshëm të Gabonit, prandaj ai përballet me trysni për shpalosjen e planeve për kthimin e rendit civil në vend.

Të premten, ai u zotua se do të krijojë institucione më demokratike të cilat i respektojnë të drejtat e njeriut, por tha se do ta bëjë këtë “pa nxitim”.

Një grup opozitar i ka bërë thirrje Oliguit ta dorëzojë pushtetin, por shumë njerëz në Gabon duken të lumtur për rrëzimin e dinastisë Bongo, pasi kanë festuar nëpër rrugët e kryeqytetit Libreville dhe zonës ekonomike Port-Gentil.

Disa vende dhe organizata të Perëndimit e kanë dënuar puçin, edhe pse e kanë pranuar se ai dallon me puçet e tjera në këtë kontinent, për shkak të shqetësimeve për besueshmërinë e votimit dhe rezultatit të zgjedhjeve.

“Natyrisht, puçet ushtarake nuk janë zgjidhje, por ne nuk duhet ta harrojmë në Gabon kishte zgjedhje me plot parregullsi”, tha shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borell.

Ish-presidenti Bongo po e kërkonte mandatin e tretë në krye të vendit, pasi e kishte marrë pushtetin më 2009 pas vdekjes së babait të tij, Omar, i cili e udhëhoqi Gabonin me grusht të hekurt për mbi 40 vjet.

Liderët e puçit thanë se e kanë vendosur atë në arrest shtëpiak dhe në pensionim.

Pesë vende të tjera në Afrikë – Mali, Guineja, Sudani, Burkina Faso dhe Nigeri – janë prekur nga puçet në tri vjetët e fundit./REL

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika