Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, është liruar nga burgu në Serbi.
Burime të Dukagjinit bëjnë të ditur se Spahiu tashmë gjendet në territorin e Kosovës.
Ish-polici Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus, njofton Dukagjini.
Kujtojmë se Spahiut autoritetet e drejtësisë në Serbi i shqiptuan masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”.
Dyshimet me ndalimin e tij lidhen me incidentin në Banjskë, ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Megjithatë, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë pasi ai kishte dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022 nga Policia e Kosovës.
