Lista Serbe: Kryetarët e rinj në veri shkarkuan të gjithë drejtorët e emëruar politikisht

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës, të cilët morën detyrën të premten, kanë shkarkuar sot të gjithë drejtorët e emëruar politikisht në degët komunale.

Lajmi është bërë i ditur nga Lista Serbe përmes një njoftimi, raporton Kossev.

Sipas njoftimit, kryetarët Milan Radojeviq (Mitrovica e Veriut), Dragisha Milovoq (Zveçan), Milosh Peroviq (Zubin Potok) dhe Zoran Todiq (Leposaviq) kanë marrë vendim për largimin e të gjithë drejtorëve aktualë të degëve komunale, ndërsa emërimet e drejtorëve të rinj pritet të bëhen në ditët në vijim.

Gjithashtu, kryetarët e rinj serbë sot janë vizituar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Sipas Listës Serbe, ata e kanë njoftuar Oravin për gjendjen “jashtëzakonisht të keqe” që kanë gjetur në administratat komunale.

“Kryetarët kanë tërhequr vëmendjen mbi gjendjen jashtëzakonisht të keqe që kanë gjetur në administratat komunale – zyra të shkatërruara, mungesë totale e pajisjeve kompjuterike, dokumentacionit zyrtar dhe mobilieve bazë zyrtare, gjë që e vështirëson në masë të madhe funksionimin normal të administratës lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Shefi i zyrës së BE-së takon kryetarët serb, mirëpret transferimin e pushtetit në komunat veriore

Të fundit nga rubrika