Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka takuar në Londër deputetin britanik Martin Vickers, anëtar i Grupit Ndërpartiak të Miqësisë Britani-Kosovë dhe Shqipëri.
Sipas njoftimit, në takim u diskutuan bashkëpunimi lokal, binjakëzimet me komunat britanike, kultura, sporti dhe ekonomia, si dhe situata politike në Kosovë dhe rajon.
“Z. Vickers është mik i madh yni, pas takimit tonë të parë më 2019, folëm për arritjet dhe sfidat, njëherësh, diskutuam për aktualitetin politik në Kosovë e rajon. Ai ndjek nga afër gjendjen në Ballkan, duke qenë zë i qartë i zgjidhjeve të çështjeve që lidhen me të ardhmen tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Lladrovci vlerësoi mbështetjen e Vickers për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy shteteve.
Pas takimit në Parlament u zhvillua edhe një darkë familjare ku u diskutua për arritjet e të rinjve kosovarë.