Mandatarit për kryeministër Glauk Konjufcës i kanë mbetur edhe 8 ditë që të bëjë përpjekje e të thërras seancën për votimin e qeverisë.
Por, edhe më tutje Lëvizja Vetëvendosje, është duke e diskutuar datën e senacës.
Nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu në një bisedë me Dukagjinin ka thënë se ende nuk kanë vendosur për këtë.
“z.Konjufca ka ende sepse sic e dini 15 ditë janë afat kushtetues për mandatarin kurdo që vendoset ne do e bëjmë publike këtë informacion, por ende nuk kemi marr vendim se kur do bëhet…”, ka thënë Haxhiu.
Tutje e pyetur nëse gjatë kësaj kohe kanë bërë ndonjë përpjekje për të siguruar votat e nevojshme, Haxhiu tha se përmes thirrjeve publike kërkojnë reflektim të partive opozitare.
“…unë personalisht nuk mendoj se ka ndonjë arsye që të ritakohemi me ta, duke pas parasysh se që nga fillimi ne kemi ftuar LDK-në, kemi ftuar Nismën që të jenë partner tanë në koalicionin qeverisës por që jemi refuzuar, dmth sic e dini kryeministri Kurti ka bërë përpjekje disa herë…”, ka shtuar Haxhiu.
Për seancën, është pyetur gjatë së martes edhe presidentja Vjosa Osmani e cila tha se shpreson që ajo të thirret sa më shpejtë, derisa përmendi se në diskutimin me liderët e partive parlamentare, u kishte folur për pasojat eventuale nga zgjatja e krizës.
“… Të sigurohemi që deri në fund të marsit askush mos të mbetet pa paga, njerëzit të mos mbesin pa bukë në tavolinë, njerëzit mos të mbesin pa barna në spitale. Këto janë çështje esenciale për jetën e qytetarëve dhe unë pres reflektim nga partitë politike. Ne gjithçka e kemi gati si dokumentacion dhe krejt çka duhet është vullneti i partive politike”, ka thënë Osmani.
Konjufca është mandatuar për kryeministër të martën e kaluar, përkundër insistimit të partive deri dje në opozitë që Presidentja Osmani të shpallë një datë për zgjedhjet e parakohshme.
Më 26 tetor dështoi përpjekja për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, pasi që kandidati Albin Kurti mori vetëm 56 vota, nga 61 sa duheshin.