Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të shtunën se vendimi i Gjykatës së Lartë në SHBA mbi tarifat tregtare të vendosura nga presidenti Donald Trump tregon se është e dobishme të ekzistojnë mekanizma kundërbalancues ndaj pushtetit dhe sundimi i ligjit në demokraci.
“Nuk është e keqe të kemi një Gjykatë të Lartë dhe, rrjedhimisht, sundimin e ligjit,” tha ai gjatë panairit vjetor të bujqësisë në Paris, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi vendimin e së premtes që tarifat e vendosura nga Trump sipas një ligji për emergjencën ekonomike ishin të paligjshme, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Është e mirë të kemi pushtet dhe mekanizma kundërbalancues ndaj pushtetit në demokraci,” shtoi Macron.
Ai gjithashtu theksoi se Franca do të shqyrtojë pasojat e tarifës së re globale prej 10% të vendosur nga Trump dhe do të adaptohet sipas situatës, ndërsa vendi dëshiron të vazhdojë eksportin e produkteve të tij, përfshirë artikujt bujqësorë, produktet luksoze, modën dhe mallrat aeronautike.
Macron nënvizoi se është e nevojshme një qasje e qetë dhe se rregulla më e drejtë është “reciprociteti”, jo të “nënshtrohemi vendimeve unilaterale”.