Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është transferuar në Gjykatën Federale të New Yorkut, ku pritet të paraqitet në sallën e gjyqit brenda pak orësh, së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
Ashtu si në raste të mëparshme me të pandehur të profilit të lartë, përreth ndërtesës së gjykatës është krijuar një radhë e gjatë gazetarësh dhe qytetarësh, të cilët po presin për të hyrë në sallën ku Maduro dhe Flores do të dalin për herë të parë para drejtësisë që nga arrestimi i tyre gjatë fundjavës.
Çifti do të dalë para gjyqtarit federal 92-vjeçar Alvin Hellerstein, ku do të përballen zyrtarisht me akuza për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë seancës, ata pritet të japin deklaratat e tyre, në një seancë që zakonisht është e shkurtër dhe procedurale.
Çështja penale kundër ish-presidentit venezuelian i është caktuar gjyqtarit Alvin K. Hellerstein, i cili është emëruar dhe konfirmuar në këtë detyrë nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 1998. Ai mban statusin e gjyqtarit të lartë në Distriktin Jugor të New Yorkut që nga viti 2011.
Hellerstein ka drejtuar më parë disa çështje të ndjeshme që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë kombëtare, përfshirë procese gjyqësore që rrjedhin nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Gjatë verës së kaluar, para të njëjtit gjyqtar, ish-gjenerali dhe ish-shefi i inteligjencës venezueliane, Hugo Carvajal Barrios, u deklarua fajtor për akuza që lidhen me narkoterrorizmin dhe trafikimin e drogës./BBC