Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ndryshimeve të fundit në rezultatet e kandidatëve për deputet, duke thënë se ato nuk janë rastësi, por pasojë e rezistencës së brendshme në parti.
Abdixhiku ka theksuar se sulmet ndaj kandidatëve të rinj janë sulm ndaj reformave pesëvjeçare të LDK-së dhe ndaj vullnetit të qytetarëve që është shprehur përmes votës së lirë.
“Kjo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar pasoja politike brenda partisë, por ka shtuar se detajet do të bëhen të qarta pas mbajtjes së Kuvendit të LDK-së.
“Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë. Ndërkohë, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim. Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka bërë thirrje që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa vonesa dhe të sanksionojnë çdo shkelje.
