Në kuadër të një ligjërate përkujtimore të mbajtur me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja, personalitete nga jeta politike, akademike dhe kulturore vlerësuan figurën dhe trashëgiminë e tij, duke ndarë kujtime, reflektime dhe vlerësime për kontributin shumëdimensional që ai dha për letërsinë, kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi Qosjen si një prej shtyllave më të rëndësishme të mendimit kulturor dhe politik shqiptar, duke theksuar ndikimin e tij në breza të tërë studiuesish dhe intelektualësh.
“Ai mbylli sytë më 23 prill sivjet, në vitin e 90-të të jetës së tij. Nga këto nëntë dekada, nëse nisemi nga vepra e tij e parë “Epizode letrare”, e botuar në vitin 1967, del se ai punoi pa u ndalur për afër 60 vjet si kritik letrar, historian i letërsisë, romancier, dramaturg, publicist dhe politikan. Për të kuptuar më lehtë peshën e vërtetë të një personaliteti të përmasave që kishte profesor Qosja, do të duhej të imagjinonim për një çast se çfarë pamje do të kishte pasur letërsia, politika, publicistika dhe mendimi kulturor e artistik shqiptar në përgjithësi, e kultura shqiptare në Kosovë në veçanti, pa figurën me përmasa kaq shumëdimensionale të tij. Kjo kulturë nuk do të ishte vetëm më e varfër, por do të ishte pa njërën nga shtyllat e panteonit kulturor shqiptar të shekullit XX dhe të shekullit XXI; pa njërin nga zërat më të qartë, më të guximshëm dhe më të thellë të mendimit kulturor e politik shqiptar”, tha ai.
‘Por natyrisht, do të ishim edhe pa një plejadë të pamatshme të intelektualëve, studiuesve, profesorëve e studentëve që u inspiruan prej tij. Prandaj, asesi kontributi i tij është i tillë saqë nuk arrijmë ta masim dot. Gjithashtu, nuk mund ta masim dot as vargun që vjen pas tij, i cili erdhi për shkak të tij. Duke qenë një vëzhgues dhe analizues i vëmendshëm i ngjarjeve dhe i dukurive, profesor Qosja kishte ardhur në përfundim se identiteti i një kombi nuk mbështetet vetëm te shteti apo politika, por, para së gjithash, te kultura, te gjuha, te letërsia dhe te kujtesa historike. Kultura, sipas tij, nuk duhej trajtuar si një zbukurim i jetës kombëtare — kultura nuk është dekor — por si kusht i ekzistencës së saj. Ajo është mundësia për ne që jemi. Për këtë arsye, ai kërkonte veprim aktiv nga ana e intelektualëve për ta përmirësuar gjendjen ekzistuese. E kjo nuk mund të arrihej ndryshe veçse me shumë punë dhe përkushtim. Këtë, në mënyrën më të mirë, profesor Qosja e dëshmoi me shembullin e jetës dhe të veprës së tij. Përveç kësaj, ai nuk ishte një studiues që u kufizua brenda fushës së tij të ngushtë profesionale, por një intelektual i cili angazhimin e vet e zgjeroi në shumë fusha, edhe jashtëletrare. Jo për shkak të dëshirës së tij për të qenë i pranishëm në çdo debat publik, por si një domosdoshmëri e kohës dhe e popullit të tij që ishte i robëruar. Profesor Qosja konsideronte se përgjegjësia morale e intelektualit ishte të mos heshtte para padrejtësive, meqë vlera e vërtetë e një intelektuali nuk matej me titujt që mbante, por me të vërtetat që kishte guxim t’i thoshte”, tha Kurti.
Aktori Avni Dalipi lexoi pjesë nga testamenti shpirtëror i Rexhep Qosjes, në të cilin akademiku kishte shprehur dëshirat e tij për ceremoninë e varrimit dhe kishte reflektuar mbi jetën, veprën dhe angazhimin e tij publik.
“Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar në pjesën më të madhe të kohës duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve dhe pushtetit të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare. Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse kam jetuar dhe jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime, Shpresës. Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së popullit shqiptar, mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes dhe të ardhmes së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosovës i kam mbetur borxh mua, këtë mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar. Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat. Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore që edhe pas çlirimit të Kosovës, të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithmonë të çliruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra seç do të duhej. Megjithatë, varrosem i bindur se kam jetuar, krijuar edhe vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun. Këto mendime i shkrova i qetë, i vetëdijshëm dhe mendjeqartë”, tha ai.
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni rikujtoi një premtim institucional për ruajtjen e trashëgimisë së Qosjes, duke shprehur shpresën që ai të zbatohet në praktikë.
“Para pak javësh e pashë lajmin që kryeministri Kurti dhe ministri Hajrulla Çeku e kishin vizituar institutin dhe kishin premtuar muzealizimin e zyrës së profesor Qosjes. Uroj të mos jetë vetëm deklaratë, se këtu shpesh thuhen e nënshkruhen fjalë që pastaj harrohen. Shpresoj që ta realizojnë.
Nga ajo zyrë kanë dalë mijëra faqe që ia zbardhin fytyrën shteteve tona dhe kombit tonë”, tha ai.
Apolloni u ndal edhe te, sipas tij, mungesa e vlerësimit të merituar për Rexhep Qosjen dhe debatet që kanë shoqëruar botimin e veprës së tij të plotë.
“Prova e parë për ta shpërblyer Rexhep Qosjen është bërë në vitin 2010, kur Ministri i Arsimit (Ramë Buja) ndau një buxhet për botimin e kompletit të veprave të tij, një botim që u përfshi në 29 vëllime. Është diskutuar shumë honorari që është ndarë për autorin, prandaj dua ta përmend këtë sepse është koha ta sqarojmë. Besoj që të gjithë do doni me ditë këtë gjë.
Në vitin 2019, një OJQ e quajtur “Admovere” ka bërë një hulumtim kinse për institutin, po me fokus te Rexhep Qosja. Ju mund të thoni se ky hulumtim i kësaj OJQ-je është botuar nga Integra dhe është financuar nga KFOS (Kosovo Foundation for Open Society), dhe se të gjitha janë fort të lidhura me një OJQ tjetër të quajtur KEC (Kosovo Education Center), që udhëhiqet nga djali i Surja Pupovcit, i cili siç e dimë ka qenë një pandenjoli i Shërkës dhe është ndër personazhet më negative në ditarin prej 5435 faqesh të Rexhep Qosjes.
Por, edhe pse keni të drejtë të mendoni kështu, unë s’do doja t’i përmendja këto gjëra të këtilla. E di që e keni parë se kjo “Admovere”, që ka shfrytëzuar si hulumtues një djalë të ri e që ka si autor një analist të… konstaton dhe alarmon se Rexhep Qosjes i janë dhënë 120,000 euro dhe bën pyetjen: “Pse ka qenë i rëndësishëm botimi i këtij kompleti?”. Zakonisht i dituri nuk përgjigjet në pyetjen e idiotit, prandaj meqenëse ju e kuptoni të gjithë rëndësinë e atij kompleti, unë s’do të marr mundimin t’u përgjigjem OJQ-ve të tillave. Por po e sqaroj shifrën e honorarit sepse ashtu siç e kanë nxjerrë këta, edhe ju do të jeni të shokuar. Një honorar me atë shifër duket i madh. Unë po ju them se po të ma jepnit mua, do t’i shaja rëndë dhe do t’i padisja menjëherë. Pse? Sepse kompleti ka gjithsej 13,000 faqe. 13,000 faqe. Përkthyesi më i lirë paguhet 10 euro për faqe. Më i liri, po flasim, se zakonisht po lëvizim te 25-shi. Pra, 13,000 faqe herë 10, sa bëhen? 130,000. E Rexhep Qosja aq sa ç’është pagu. Kurse Rexhep Qosja nuk i ka përkthyer ato faqe, po i ka krijuar, i ka shkruar prej hiçi. Nuk është paguar as 10 euro për faqe. Shkrimtari më i mirë është paguar më pak se përkthyesi më i lirë. Dhe është bërë problem kjo në Kosovë. Është e turpshme. Mos harroni, Rexhep Qosja ishte intelektuali më i madh i Kosovës. Ndër studiuesit dhe shkrimtarët më të mëdhenj në tërë Evropën Juglindore”, tha ai.
Akademiku, shkrimtari dhe kritiku i njohur letrar Rexhep Qosja ndërroi jetë më 23 prill 2026, në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë në letërsinë, albanologjinë dhe mendimin publik shqiptar./EO