Mbappe kërkon falje për komentet për Mao Ce Dunin pas reagimeve në Kinë

Futbollisti francez Kylian Mbappé ka kërkuar falje për komentet e tij për ish-liderin kinez Mao Ce Dun, të cilat shkaktuan reagime të shumta në Kinë dhe çuan në ndërprerjen e disa bashkëpunimeve të tij me marka kineze.

Sulmuesi i Real Madridit, sipas raportimeve, kishte folur për një meme që e krahason atë me Mao Ce Dunin, gjatë një interviste në emisionin francez “The Bridge”. Në video, Mbappé shihet duke qeshur teksa shfaqet një imazh ku fytyra e tij është vendosur mbi një fotografi që i ngjan ish-liderit kinez.

Memeja lidhet me një shaka që qarkullon në internet, ku Mbappé cilësohet si “diktator” për shkak të ndikimit të tij të madh në futboll.

“Komenti im ishte i pamenduar mirë dhe tani e kuptoj se i ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetet kineze në mbarë botën. U kërkoj falje të gjithëve që janë ndier të ofenduar nga fjalët e mia”, deklaroi Mbappé.

Reagimet në Kinë u shtuan të hënën në mbrëmje, pasi forumi kinez i futbollit “Dongqiudi” publikoi një deklaratë, duke i cilësuar komentet e futbollistit si të papërshtatshme dhe fyese për popullin kinez. Pamjet nga videoja dhe memeja u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku disa përdorues kërkuan bojkotimin e Mbappés dhe të Real Madridit.

Mao Ce Duni, themeluesi i Republikës Popullore të Kinës, mbetet një figurë tejet e ndjeshme në vend. Ai nderohet nga Partia Komuniste Kineze, pavarësisht sundimit të tij të shënuar nga fushata të dhunshme dhe pasoja që çuan në vdekjen e miliona njerëzve.

Për shkak të reagimeve, disa kompani kineze kanë njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimeve me futbollistin, i cili ka një prani të madhe tregtare në tregun kinez. Prodhuesi më i madh i produkteve të qumështit në Kinë, Mengniu, deklaroi se kundërshton dhe nuk toleron asnjë fjalë apo veprim që lëndon ndjenjat e popullit kinez. Një qëndrim të ngjashëm e mbajti edhe kompania e pijeve Dongpeng.

Edhe La Liga ka kërkuar falje, duke thënë se i vjen thellësisht keq për fyerjen që komentet e Mbappés u kanë shkaktuar tifozëve kinezë.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave kineze, transmetuesi shtetëror CCTV nuk do të publikojë përmbajtje që lidhet me Mbappén dhe do të ndalojë transmetimin e ndeshjeve të La Ligës.

Çështja ka marrë vëmendje edhe nga diplomacia kineze. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, tha se fjalët dhe veprimet që lëndojnë ndjenjat e popullit kinez natyrshëm do të kundërshtohen nga segmente të ndryshme të shoqërisë kineze.

Të fundit nga rubrika