Mbi 180 incidente në tremujorin e parë, theksohet nevoja e psikologëve në shkolla

Në tremujorin e parë të vitit 2022, sipas Policisë së Kosovës kanë ndodhur 184 incidente në shkolla të Kosovs apo përreth tyre. Nga njohësit e çështjeve të arsimit është theksuar nevoja e pranisë së psikologëve në shkolla, sipas tyre kjo do t’i ndihmonte shumë nxënësit

Ilustrim

Nuk janë të rralla rastet e dhunës në shoqërinë tonë, ku në rastet më të mira personat e përfshirë në konflikte të tilla përfundojnë vetëm me lëndime trupore. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur pjesë e dhunës apo incidenteve të tjera të jashtëligjshme janë edhe të miturit, në shumicën e rasteve, të shkollave të mesme por edhe ato të filloreve.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2022, sipas Policisë së Kosovës, në shkolla apo rreth objekteve të tyre, kanë ndodhur 184 incidente të ndryshme. Këto incidente, sipas policisë, përfshijnë raste të dhunës me lëndime të lehta dhe të rënda trupore, posedim të armëve të ftohta, ngacmime seksuale e kështu me radhë.

“Gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2022 në shkolla dhe përreth tyre kanë ndodhur, gjithsej, 184 incidente të ndryshme. Në mesin e tyre janë 44 raste të Lëndimit të lehtë trupor ,5 Lëndim i Rendë Trupor, 6 raste të Sulmit, 6 të Ngacmimit Seksual, 39 raste te Posedimit të Armës së Ftohtë dhe raste tjera”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës të dhënë për Rtv Dukagjinin.

Policia e Kosovës

Përveç rasteve të përmendura, në përgjigjen e policisë thuhet se në disa raste kanë hasur në substanca narkotike të llojit marihuanë, dhe po ashtu në disa operacione të PK-së, në shkolla janë gjetur “armë të ndryshme të ftohta, grusht metalik dhe shufra të ndryshme”.

Në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit, thuhet se ky institucion e ka krijuar infrastrukturën duke e sanksionuar dhunën e duke e bërë “pjesë integrale të kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet e arsimit”.

Sipas MASHT-it, veprimi për parandalimin e dhunës në shkolla bie në fushëveprimin e institucioneve komunale. Për këtë arsye, sipas tyre, janë mbajtur takime me Drejtori Komunale të Arsimit, trajnime dhe takime me drejtorë të secilës komunë, në mënyrë që t’u bëhet e ditur për përgjegjësitë që kanë.

Ministria e Arsimit

“Në këto strategji punohet, konkretisht, në parandalim dhe edukim përmes disa aktivitete, duke përfshirë hartimin e kurrikulave shkollore me qëllim të vetëdijesimit të nxënësve”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Tutje, në përgjigjen e Ministrisë, thuhet se në kuadër të parandalimit të dhunës apo incidenteve të tjera që mund të ndodhin në shkolla, kanë bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare dhe vendore si UNICEF, IOM, GIZ, OSBE, UNDP,  Qendra për Arsim e Kosovës, PEN, ATRC.


Nevoja për psikologë në shkolla

Në nivel të vendit, sipas MASHTI-it, janë të punësuar vetëm 57 psikologë nëpër shkolla. Sipas tyre, ky numër mund të shtohet varësisht nga nevojat e komunave.

“Aktualisht janë rreth 50 pedagogë dhe 57 psikologë të angazhuar nëpër shkolla në tërë Republikën e Kosovës. Numri i tyre pritet të rritet vazhdimisht varësisht nga kërkesat dhe nevojat e komunave. Po ashtu, në proporcion me numrin e nxënësve angazhohen edhe psikologët nëpër shkolla”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Praninë e psikologut në institucione arsimore e ka konsideruar si nevojë esenciale psikologia Lumnie Telaku. Sipas saj, konsultimi i fëmijëve të shkollave të mesme e fillore është i domosdoshëm, sidomos viteve të fundit, për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 dhe pasojat që ka lënë pas te fëmijët.

Lumnije Telaku, psikologe

Komunikimi i tepërt përmes rrjeteve sociale apo telefonave të mençur, sipas Telakut, ka ndikuar negativisht te të miturit. Sipas saj, shpeshherë përmes rrjeteve sociale cenohet privatësia e nxënësve duke u përdorur edhe shantazhi.

Rastet e tilla psikologjia Telaku, i ka cilësuar si “Bullizëm kibernetik”.

“Prandaj ky lloj komunikimi mes tyre po shkakton ankth dhe pakënaqësi të mëdha, sepse ata po prekin drejtpërdrejt ne privatësinë e tyre, sepse jo të gjithë kanë dëshirë të shpërndajnë jetën e tyre ne rrjetet sociale. Ky, realisht, mund të duket bullizëm kibernetik. Pothuajse çdo ditë kam ne klinikë fëmijë dhe adoleshentë qe ndihen të bullizuar nga bashkëmoshatarët e tyre, sepse ata në njëfarë mënyre po shantazhohen me ato video incizime”, ka thënë ajo.

Foto e një klase, ilustrim

Telaku ka theksuar nevojën e psikologëve në shkolla, sepse, sipas saj, mësimdhënësit nuk janë të mjaftueshëm për t’i plotësuar nevojat e nxënësve, për të cilët mund të nevojitet trajtim tjetër e që mund ta ofrojë vetëm psikologu/ja.

Ajo ka përmendur shkollën “Hasan Prishtina”, në Komunën e Prishtinës e cila ka mbi 2000 nxënës që vijojnë mësimin aty e që sipas saj nuk ka asnjë psikolog.

Rtv Dukagjini i ka dërguar pyetje drejtorit të kësaj shkolle, dhe po ashtu Komunës së Prishtinës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Sipas ekspertit të fushës së arsimit dhe njëherësh drejtorit ekzekutiv të Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, mungesa e psikologëve në shkolla “është tregues i neglizhencës së institucioneve karshi mirëqenies së nxënësve në arsimin para universitar në vend”.

Sipas Qehajës, punësimi i psikologëve në institucionet e arsimit parauniversitar në mënyrë meritore do të mundësonte identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve që kanë nevojë.

Rinor Qehaja, Instituti Edguard

Ai ka theksuar se prezenca e dhunës në shkolla viteve të fundit ka pasur rënie, por sipas tij dhuna në shkolla nuk është vetëm fizike, por edhe psikologjike, siç janë format e tjera të dhunës, si p.sh. bullizmi, ngacmimet seksuale e kështu me radhë.

“Burimet e dhunës në shkolla fillore të mesme të ulët dhe të larta, përgjithësisht, janë shumë individuale, pra nuk mund të përgjithësojmë fenomenin, por duhet të institucionalizojmë parandalimin dhe reagimin duke fuqizuar dhe vetëdijesuar pikësëpari komunitetin e shkollës”, ka thënë Qehaja.

Ndërkaq për çështjen e punësimit të psikologëve, Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Samir Shahini i ka thënë Rtv Dukagjinit se për shkak të numrit të lartë të mësimdhënësve jashtë listës së pagave, nuk kanë punësuar psikologë, sepse sipas tij kjo ka qenë e pamundur.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika