Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), është mbledhur sot pasdite për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se kjo parti po diskuton për zhvillimet aktuale politike, përfshirë edhe mundësinë e bashkimit të së djathtës.
Ajo tha se në mbledhjen me kryetarët e degëve janë në shqyrtim çështje të ndryshme partiake dhe strategjike.
“Mbledhje me kryetarë të degëve për të diskutuar për aktualitetin politik edhe për gjithçka tjetër që lidhet me këtë. Janë çështje kështu të gjitha këto çështje do t’i diskutojmë, janë çështje partiake”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu theksoi se pjesë e diskutimeve është edhe çështja e rikthimit të mundshëm të Vjosa Osmani dhe ideja për bashkimin e spektrit të djathtë politik.
“Na diskutojmë për të gjitha çështjet që lidhen me partinë tonë, me listën tonë. Në këtë kuptim diskutojmë edhe për ardhjen e Vjosës, eventuale, për bashkimin e madh të së djathtës që kemi diskutuar që sa kohë dhe e shohim si domosdoshmëri për Kosovën. Në ndërkohë, për gjithçka tjetër dalim pas mbledhjes”, tha ajo.
Ajo shtoi se qëndrimet zyrtare të partisë tashmë janë bërë publike, ndërsa çështjet lokale janë të ndara nga ato qendrore.
“Gjithçka që kemi dashur me thënë është thënë në deklaratën zyrtare të LDK-së. Ndryshe, Përparimi është kryetar i Prishtinës edhe i takon atij me dhanë edhe përgjegjësi edhe me marrë vendime në sajë të kompetencave që ai i ka”, tha ajo.
“S’kanë lidhje këto të dyja. Ju lus, çështjet komunale janë të ndara, çështjet qendrore janë çështje qendrore. Ne sot si temë diskutimi do të kemi rrugën tonë përpara dhe bashkimin e së djathtës për nivelin qendror. Dhe koalicionet dhe gjithçka tjetër që është për nivelet lokale, e nuk jemi veç në Prishtinë po edhe në shumë komuna tjera duke qeverisur ose duke bashkëqeverisur me ndonjë parti tjetër, janë çështje lokale për të cilat sot nuk është prioritet”, tha ajo, transmeton EO.
LDK-ja mblidhet sot për shqyrtimin e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin