Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Fjalën përmbyllëse e ka dhënë edhe ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit, tashmë procesi i seancës po vijon me pyetjet e trupit gjykues.
Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit është përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christopher Barthe, duke sqaruar rreth ndalimeve të personave gjatë luftës dhe statusit të tyre sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare.
Avokatët thanë se në një konflikt të armatosur jondërkombëtar mund të arrestohen persona që perceptohen si rrezik për sigurinë.
Sipas gjyqtarit, dosja përfundimtare e mbrojtjes së Thaçit sqaron se “individët janë paraburgosur sepse janë perceptuar nga pikëpamja legjitime si luftëtarë dhe jo si kundërshtarë në vijim të objektivit për të ushtruar kontrollin në tërë Kosovën”.
Mbrojtja e Thaçit e ka marrë shembull një rezervist të ushtrisë serbe, duke argumentuar se kishte arsye të besohej se ai ishte perceptuar si luftëtar nga personat që e arrestuan.
Avokati Luka Mishetiq shtoi shembullin e tetë ushtarëve të armatës jugosllave, duke thënë se ata përbëjnë rastin më të qartë të personave të armatosur që mund të konsiderohen luftëtarë.
Ai gjithashtu theksoi se Prokuroria kishte pranuar që UÇK-ja ka pasur të drejtën e parandalimit, me kusht që të mos kishte abuzime. Nëse ekzistonte dyshimi se personat e ndaluar kishin marrë pjesë në veprime ushtarake, ata duhej konsideruar luftëtarë.
Ndërsa në rast gabimi gjatë arrestimit, sipas mbrojtjes, nuk bëhet fjalë për shënjestrim të kundërshtarëve politikë.
Gjyqtari Barthe pyeti gjithashtu nëse personat e ndaluar ishin anëtarë të forcave të armatosura qeveritare dhe nëse, në momentin e arrestimit, ata nuk ishin jashtë luftimit sipas nenit të përbashkët 3 të Konventave të Gjenevës dhe nenit 14.1(C) lidhur me trajtimin e tyre.
Avokati u përgjigj se synimi i arrestimit ka qenë parandalues dhe jo shënjestrim i kundërshtarëve.
Mishetiq ka theksuar se UÇK-ja kishte arsye për të paraburgosur dhe kjo në bazë të një ligji të brendshëm.
Krasniqi nuk është i njëjtë si Millosheviqi, thotë Alagendra
