Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar një artikull të veçantë ftesës që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pranuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë e re kjo e udhëhequr nga SHBA-të për adresimin e çështjeve globale të sigurisë dhe paqes.
Sipas ftesës së Trump, Kosova do të përfaqësohet në këtë bord si anëtare themeluese, duke u rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara në atë që administrata Trump e ka cilësuar si një mision për ndërtimin e një rendi më të sigurt ndërkombëtar, njofton Dukagjini.
Sipas mediave të huaja ftesa ndaj Osmanit është cilësuar si një sinjal i qartë i vazhdimit të aleancës së fortë mes Kosovës dhe SHBA-së, veçanërisht në një kohë tensionesh globale dhe përpjekjesh për riformësimin e mekanizmave ndërkombëtarë të paqes.
Reuters, The Times of Israel, The Straits Times, Devidscouse janë disa nga mediat e huaja që një vend në ballinën e tyre e kanë ndarë për presidenten Osmani dhe ftesën e Trump.
Bordi i Paqes, i kryesuar nga Presidenti Trump, fillimisht ishte konceptuar si një trup i vogël drejtues, por sipas mediave ndërkombëtare, iniciativa po zgjerohet me përfshirjen e disa vendeve dhe liderëve botërorë.
Detaje të tjera rreth përbërjes dhe mandatit të plotë të bordit pritet të bëhen publike në ditët në vijim.



