
Meksika, si një nga bashkëorganizatoret e Kupës së Botës FIFA, njoftoi të premten se viti shkollor mund të përfundojë 40 ditë më herët se siç përfundon zakonisht.
Sekretari i Arsimit, Mario Delgado, deklaroi se vendimi për ta mbyllur vitin shkollor më 5 qershor u mor pjesërisht për shkak të valës së të nxehtit që po prek disa shtete të vendit, por edhe për shkak të Kupës së Botës.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që viti i ri shkollor, i planifikuar aktualisht të nisë më 31 gusht, të fillojë më herët për të kompensuar ditët e humbura.
Pas kritikave të ashpra, Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, sqaroi se ky ishte vetëm një “propozim” dhe jo një vendim përfundimtar. “Nuk ka ende një kalendar të caktuar. Është thelbësore që fëmijët të mos humbasin asnjë orë mësimi,” pohoi ajo, duke shtuar se masa ishte një përgjigje ndaj kërkesave të autoriteteve arsimore lokale.
Nga ana tjetër, organizata kërkimore “México Evalúa” shprehu shqetësimin se ky vendim do të prekte mbi 23.4 milionë nxënës, duke thelluar gjendjen arsimore dhe pabarazitë ekzistuese.
Turneu, që organizohet bashkërisht nga Meksika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, nis më 11 qershor, kur Meksika do të përballet me Afrika e Jugut në Mexico City.


